Shëtitja e sotme nëpër Kosovë ishte paralajmëruar që më parë, më 30 shtator 2019, duke qenë edhe në ekskursionin mësimor-shkencor me maturantët në Shqipëri, në shenjë mirënjohjeje, kur morëm sihariqin se Ekipi i vajzave i Gjimnazit “Skënderbeu” të Kaçanikut u kualifikua për në kampionatin botëror të futsallit, i cili do të mbahet në Lion të Francës, më 1-8 qershor 2020. Por, ekipit sportiv sot i bashkuam edhe disa nxënës fitues në garat nacionale, sikurse edhe disa të tjerë të zgjedhur…
Shëtitja që bëmë ndodhi të jetë shumë mbresëlënëse. Qytetet e veçanta që zgjodhëm për këtë rast tejet të këndshëm ishin Gjakova dhe Prizreni. Veçanërisht u kënaqëm me bukurinë që ka edhe Liqeni i Dukagjinit.
Mirëpo, kënaqësi më vete e për t’u mbajtur mend ishte edhe vetë atmosfera që krijuan këta nxënës të zgjedhur dhe kolegët e koleget e punës, me të cilët ndihemi si një familje e lumtur!
Njëzëri u pajtuam se sukseset janë shkasi më i mirë dhe kënaqësia më e veçantë edhe për të shëtitur, veçse aq më tepër edhe për sjellje të edukuar dhe frymë mobilizimi edhe për suksese të mëtejme…
Me këtë rast, i faleminderit edhe Drejtorisë së Arsimit, drejtorit Zahir Doda, për mirëkuptimin; sikundër edhe NT “Elita Tours” nga Kaçaniku, pronar z. Xhelal Selimi, që jo vetëm sot pati lehtësinë të na shërbejë gratis! -I.V.