Arsimi i mesëm në komunën e Kaçanikut daton në vitin 1965, kur në Han të Elezit, në kuadër të Fabrikës së Çimentos, hapen paralelet e para të Shkollës për kualifikimin e punëtorëve ose siç quhej atëherë Shkolla e nxënësve në ekonomi. Më 1967 kjo shkollë transferohet në Kaçanik, ku punon në lokalet e veta shkollore dhe merr emrin “ Voskopoja”, shkollë që tani kishte nëntë paralele me nxënës. Drejtor i parë i saj qe profesor Bedri Kyqyku, ndërsa themelues ishte Kuvendi i Komunës i Kaçanikut. Për mungesë kuadri të kualifikuar mësimor, një numër arsimtarësh ishin angazhuar edhe nga qytetet e tjera, si nga Shkupi, Tetova, Struga, Dibra, Ferizaj etj.
Ndërkaq, në vitin shkollor 1967/’68 u hap gjimnazi. Fillimisht me dy paralele me 75 nxënës, prej tyre 7 vajza. Drejtor në themelim i këtij gjimnazi qe Bedri Hysa. Gjimnazi mori emrin “Skënderbeu”. Gjimnazi së pari u sistemua në objektin e shkollës fillore “Emin Duraku” në Kaçanik, ndërsa në vitin 1972 kaloi në objektin e vet të ri, të pajisur me të gjitha kabinetet dhe mjetet e atëhershme mësimore. Në atë object është edhe sot.
Në kuadër të “reformave” dhe eksperimenteve të kohës, më 1973 dy shkollat e mesme, “Voskopoja” dhe “Skënderbeu”, u fuzionuan, ndërsa sipas diktatit të politikës ditore u riemërtuan me emrin e përbashkët “Mareshali Tito”.
Në frymën e të ashtuquajturave “reforma”, për disa vjet mësimi u zhvillua në dy faza: Bazat e përbashkëta dhe Arsimi i mesëm i orientuar. Për shkak të drejtimeve të shumta dhe ndërrimeve të shpeshta vështirë sigurohej kuadri mësimor.
Më 1990 kjo shkollë pati 1430 nxënës (217 femra) me 48 paralele. Mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën shqipe, sepse nuk kishte përkatësi të tjera. Këtu kishte edhe nxënës shqiptarë nga Maqedonia.
Si në të tërë Kosovën, më 1991 pushteti okupator nxënësit e kësaj shkolle i largoi me dhunë nga lokalet shkollore. Atëbotë gjimnazi kishte 99 punëtorë, prej të cilëve 73 arsimtarë. Pas dëbimit nga objektet e rregullta shkollore, mësimi filloi të organizohet nëpër shtëpitë-shkolla.
Më 1992, kur në frymën e rebelizmit kombëtar kundër okupatorit serb u riemërtuan të gjitha shkollat, me to u rikthye edhe emri “Skënderbeu”. Procesi mësimor tani u organizua në tri punkte: në Kaçanik, në Begracë dhe në Han të Elezit, nëpër shtëpitë-shkolla, por edhe në shkollat fillore si në Bob, Kaçanik e Han të Elezit, por në mungesë lokali mësimi zhvillohej edhe në natyrë. Shtëpitë-shkolla lëshoheshin pa kompensim. Për shkak të organizimit të suksesshëm të procesit mësimor, policia serbe, më 1993/’94, e pati torturuar mizorisht drejtorin e atëhershëm Mustafë Krivenjeva.
Me gjithë solidaritetin qytetar dhe gatishmërinë e shumë familjarëve për shtëpitë-shkolla, mësimi zhvillohej me vështirësi të mëdha. Kështu, më 1996/’97 nxënësit dhe arsimtarët e shkollës së mesme “Skënderbeu” provokuan rikthimin në lokalet e rregullta shkollore, me ç’rast pushteti okupator u detyrua të heshtë. Por, objektet ishin dëmtuar shumë. U desh një aksion i gjallë popullor-fizik e financiar që të rehabilitoheshin objektet. Tashmë, pas disa ndërrimeve, drejtor i ri kishte ardhur prof. Remzi Çaka. Nga objekti i rregullt shkollor nxënësit dhe personelin e largoi vetëm lufta. Drejtor Remzi Çaka vazhdoi me sukses edhe pas lufte. Ndërkohë, kjo shkollë, për shkak të numrit të madh të nxënësve, nevojës së profilizimit dhe disponimit me dy objekte solide shkollore, rindahet në dy shkolla: Gjimnazi “Skënderbeu” dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Voskopoja”.
Gjimnazi tani ka 850 nxënës, 40 arsimtarë dhe 5 punëtorë teknik, ndërsa drejtor është z. Ibush Vishi, profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe.
P.S.
I. Drejtorët e gjimnazit “Skënderbeu”:
1. Bedri Hysa,
2. Latif Nallbani,
3. Fadil Raka,
4. Shaip Dema,
5. Izahir Troni,
6. Tefik Raka,
7. Muharrem Troni,
8. Hajdar Loku,
9. Rexhep Shehu,
10. Mustafë Krivenjeva,
11. Remzi Çaka,
12. Hajrush Kurtaj,
13. Ibush Vishi.
II. Pronarët e shtëpive-shkolla:
1. Gani Krivenjeva,
2. Elmaz Shehu,
3. Kadri Muja,
4. Mejdi Hajrush Dalloshi,
5. Bajram I. Gashi,
6. Osman Imeri,
7. Hasan Kuka,
8. Enver Kalisi,
9. Bajram Luma,
10. Abdullah Zeqiri,
11. Rasim Krasniqi,
12. Bexhet Topalli,
13. Zeqir R. Topalli,
14. Mustafë Kuka,
15. Hamdi Deda,
16. Adnan Burrniku,
17. Sulejman Hasani,
18. Zeqir Gabrrica,
19. Bajram Gabrrica,
20. Hamdi Berisha,
20. Ilmi Sokoli.