Biblioteka, me misionin e saj, për aq sa është kuptim kulturo-arsimor më vete, në këtë rast është edhe pjesë organike e institucionit shkollor – Gjimnazit “Skënderbeu”. Brenda saj gjenden libra me vlera të veçanta shkollore e të dijes në përgjithësi, për shkencën, kulturën, artin, historinë etj. Këtu nxënësit lexojnë dhe shërbehen me librat dhe literaturën që kërkojnë. Por, e njëjta hapësirë shfrytëzohet edhe si kabinet i arteve.
Në fondin e vet kjo bibliotekë ka mbi 2500 tituj, nga ta edhe në disa ekzemplarë, që gjithsej kapin shifrën rreth 4000 copë.
Në të vërtetë, viteve të’90-ta nën pushtim, kjo bibliotekë qe plaçkitur e shkatërruar tërësisht.
Pas Luftës Çlirimtare, me nismën e organeve të shkollës e të trupit arsimor, biblioteka, më shumë se sa nga mjetet e rregullta buxhetore, është mëkëmbur e begatuar nga donatorët dhe miqtë e librit.
Së fundmi, vitin që po lëmë pas, kjo bibliotekë është pasuruar edhe nga përfitimi i një projekti nga vetë nxënësit e Gjimnazit, kontigjent me rreth 100 libra të zgjedhur letrarë në gjuhën angleze.
Mirëpo, megjithatë, pjesën më të madhe të fondit librar në këtë bibliotekë e përbëjnë libra të moçëm.Ndërkaq, pasurimi dhe përtëritja me botime të reja të librave shkollorë dhe të literatures së gjerë kombëtare e të përbotshme, është në natyrën e funksionimit të çdo biblioteke, si në gjirin e vatrës sonë arsimore – Gjimnazit “Skënderbeu”, sikundër tani e këtu që e çmojmë si një imperativ të veçantë.
Prandaj, le të jetë ky pohim edhe si një mesazh dhe apel edhe për miqtë e librit e të shkollës sonë se biblioteka e Gjimnazit “Skënderbeu” ka nevojë për libra të rinj!