Konferencë Shkencore “100 VJET ARSIM E KULTURË NË DUKAGJIN”

Me ftesë të kryetarit të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, punimet e Konferencës “100 Vjet Arsim e Kulturë në Dukagjin”, dje, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në një atmosferë të veçantë pritjeje të ngrohtë vëllazërore dhe intelektuale, i ndoqëm edhe një grup i Gjimnazit “Skënderbeu” të Kaçanikut. Në të vërtetë, pjesëmarrjes sonë atje i ka paraprirë edhe nxënësja jonë, Fitore Bilalli, të cilën e përshëndesim për interesimet që ka.
Programi qe i ngjeshur dhe cilësor.
Konferencën, që u zhvillua në dy seanca, e udhëhoqi Kryetari i Shoqatës, z. Ndue Sanaj, kurse referatin kryesor: “100 vjet arsim e kulturë në Dukagjin”, e mbajti z. Luigj Shyti.
Në Konferencë u paraqitën shumë kumtesa e kujtime për punën në arsim në ato anë.
Ndërkohë, pas Rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Konferencën e përshëndeti edhe profesoresha jonë e Gjimnazit “Skënderbeu”, znj. Remzije Luta – Dardhishta.
Veteranëve të arsimit iu ndanë edhe çmime…
Punimet e Konferencës i përmbylli z. Luigj Shyti.
Për vëllezërit dhe miqtë nga Kosova, u shtrua edhe drekë.
Prof. Remzije Luta – Dardhishta:
PËRSHËNDETJE KONFERENCËS SHKENCORE “100 VJET ARSIM E KULTURË NË DUKAGJIN”
I nderuar Kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, z. Ndue Sanaj,
Të nderuar akademikë, profesorë, të pranishëm të kësaj Konference…,
Vëllezër e motra, zonja e zotërinj,
Ne vijmë nga Gjimnazi “Skënderbeu” i Kaçanikut – të cilit, për më tepër, Ju shkodranët i keni kënduar!
E vërteta, praninë tonë këtu në Konferencë, e përkrahur nga kryetari ynë i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, z. Ndue Sanaj, e ka ideuar nxënësja jonë, Fitore Bilalli, me kërshërinë dhe interesimet e saj për arsimin dhe kulturën, për Konferencën. Prandaj, sot, këtu, emblemë jona e Gjimnazit “Skënderbeu”, është Fitorja!
Mirëpo, privilegjin më të madh e çmojmë mundësinë që na ofroi organizatori të jemi pjesë e mësimeve të kësaj Konference.
Në emër të delegacionit tonë, përgëzime për Konferencën Shkencore “100 Vjet Arsim e Kulturë Në Dukagjin”!
Respekt dhe mirënjohje Organizatorit dhe të gjithë referuesve për kumtesat e tyre….
Të nderuar të pranishëm,
Jemi bashkuar sot nga viset, ku shumë më shumë se 100 vjet na është mohuar, jo vetëm arsimi e shkolla, por edhe gjuha dhe qenia jonë; por jemi nga hapësira ku ka gjallëruar gjithmonë lufta për liri e për shkollën shqipe; ku ka bërë jetë qytetërimi shqiptar përmes dokeve, ritit, besimit, përmes dashurisë sublime për Atdhe, deri në flijim, si në Shkodrën e shenjtë të humanistit Marin Barleti.
Të dashur vëllezër e motra,
– me ndjenjën e 100 Vjetëve të Arsimit e Kulturës në Dukagjin, Rrugën e Kombit, sot, Kaçanik-Shkodër, e bëmë simotrash me ditëlindjen e 106-të të Migjenit, në këtë “agim të lum”, me kënaqësinë se “Kangët e pakëndueme” të Tij ngaherë kemi nisur t’i këndojmë në “ditë ma të lumnueme”;
– rrugëtuam me përfytyrimin e At’Gjeçovit, këtij kampioni të arsimit e të përmasës gjithkulturore shqiptare, me Shkopin e Tij arkiv, si një dorezë Porte gjigante të Shkollës Shqipe;
– shtegtuam me kujtesën e madhe për At’Justin Rrotën, vëllain atdhetar të Gjeçovit, që të dy heronj të shkollës e të shqiptarizmës;
– erdhëm me imazhin e Ernest Koliqit, me 200 arsimtarët e Tij anembanë trojeve shqiptare, si edhe në Kaçanik etj…
Jemi të bindur se Konferenca “100 Vjet Arsim e Kulturë në Dukagjin”, përveç risive ndriçuese shkencore, do të përçojë edhe mesazhe të shëndosha ende më përbashkuese për të gjithë shqiptarinë, si fuqi unike e ndryshimit cilësor të vetvetes, në këtë rast para së gjithash në fushën e arsimit dhe kulturës, si dritë e syve të fëmijëve tanë.
Sikundër fakti i njohur se populli shqiptar dhe gjuha shqipe, kjo bijë e vetme e ilirishtes, takohen me lashtësinë e largët historike, ashtu do të takohen, populli shqiptar, gjuha dhe shkolla e tij, edhe me të ardhmen e paskajshme e të ndritur! Ashtu siç e ka thënë e kënduar edhe Rilindja jonë Kombëtare…
Punë e mbarë Konferencës dhe ju faleminderit të gjithëve!