PËRUROHET MONOGRAFIA E GJIMNAZIT “SKËNDERBEU” NË DITËN E SHKOLLËS

2 Marsi, Dita e Shkollës e Gjimnazit “Skënderbeu”, këtë vit u madhështua me përurimin e Monografisë së shkollës sonë. Në këtë solemnitet të 51 vjetorit të Gjimnazit, të pranishëm ishin maturantët e gjeneratës së parë të Gjimnazit, veteranë të arsimit, ish-drejtorë, zyrtarë lokalë e qendrorë, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve e të shkollave simotra, mësimdhënës e nxënës.
Përurimi u hap nga drejtori i Gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik z. Ibush Vishi, i cili falënderoi të gjithë ata që kontribuuan që ky libër ta shohë dritën e botimit. Ai tha se Monografia është mënyra më e mirë për ta ruajtur historikun e Gjimnazit, në mënyrë që lexuesit t’i ofrohet informacion e motivacion kujtese e frymëzimi. Kryetari i Komunës së Kaçanikut z.Besim Ilazi, tha se këmbëngulësia dhe kontributi i njerëzve të dijes bënë që Kaçaniku të ketë shkollë të mesme në një periudhë mjaft të vështirë të historisë së vendit tonë. Ndërsa ish-drejtori i Gjimnazit z.Latif Nallbani, tha se me punë kanë tejkaluar shumë sfida, duke veçuar synimin që t’i bindin prindërit për t’i regjistruar fëmijët e tyre në Gjimnaz. Mungesa e lokalit shkollor e kuadrit mësimor, u përmend edhe nga ish-drejtori Remzi Çaka, i cili shtoi se përkundër këtyre pengesave, arritën që Gjimnazin “Skënderbeu” ta bëjnë shkollë model dhe e tillë vazhdon të jetë edhe sot. Për kontributin e tij të pakursyer për botimin e librit “Monografi”, drejtori i Gjimnazit i dhuroi z.Çaka portretin e Skënderbeut. Ndërsa kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, z.Ndue Sanaj, me titullin e nderit “Mehmet Shpendi” nderoi ish-profesorin e Gjimnazit, dëshmorin Nevzat Çallaku, dhe dëshmoren Emsale Frangu, për të vijuar me titullin “Mirënjohja Martin Camaj” që iu nda Gjimnazit tonë.
Takimin e përshëndetën edhe djali i ish-drejtorit të Gjimnazit Bedri Hysa, ambasador Ylber Hysa, mbesa e ish kryetarit Sali Bajra, Gjentile Bajra, si dhe nxënësi i gjeneratës së parë të maturantëve të Gjimnazit, z.Nuri Rexhepi.
Nuk kishte si të mungonte edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit tanë. Programi u begatua me praninë e flautistes nga Ferizaj, profesoreshës Blenda Konxheli, e cila interpretoi pika muzikore shoqëruar në piano nga prof. Fatjona Malsiu.
Ndërsa, me moderimin e mrekullueshëm të saj, shkëlqim të veçantë këtij solemniteti i dha edhe prof. Ariana Çaka…