Më 2 prill 2014, në Gjimnazin “Skënderbeu”në Kaçanik u zhvillua një aktivitet kulturo-artistik kushtuar aktorit të madh Aleksandër Moisiu, në 135-vjetorin e lindjes, program i cili krijoi momentin më të bukur përshëndetës edhe për profesorin Vebi Berisha, me rastin e pensionimit, në ditëlindjen e 65-të të tij, me ç’rast ai u nderua me mirënjohje dhe iu dhurua edhe një orë me stemën e Gjimnazit, ndërsa u lexuan edhe krijime të tij.

Aleksandër Moisiu shkas, vite më parë, gjatë Muajit të Kulturës në Ferizaj, më saktë, më 27 nëntor 2003, në një ekspozitë që kishte bërë në nderim të këtij aktori, u njoftuam edhe me regjisorin e respektuar z. Isak Guta. Po atëherë e pata lutur se si do të mund ta organizonim në Kaçanik atë ekspozitë. Përgjigjja ishte shumë dashamirëse e deri në kërkimfalje, por mundësisht për rast tjetër më të përshtatshëm, meqë, hë për hë qyteti Ferizajt ishte i privilegjuar ta shijonte atë krijim.

Në të vërtetë, vonë e më vonë kuptova se z. Guta Moisiun e dashur e me nam e kishte si një idol e përkushtim jetësor edhe nga vokacioni i tij, gjë që aq më tepër kjo na u dëshmua edhe sivjet, me angazhimet e tij krijuese, në 135-vjetorin e lindjes së aktorit…

Po, sepse edhe sivjet Isak Guta në shumë komuna të Kosovës u paraqit me një projekt shumëvlerësh: letrar, filmik etj., dhe jo vetëm në një hapësirë ose vetëm në një institucion, cilësuar e ideoprojektur “Java e Moisiut me librin dhe filmin në veprim”, ky karvan kulturor me shkas përvjetorin e 135-të të viganit të skenës Moisi – i cili, përzemërsisht i miratuar edhe nga autori, sivjet i rilindur do të niste pikërisht nga Kaçaniku!

Veçse, si për keqardhje, nuk hasi në përgjigje meritore pothuajse nga asnjë komunë, këtë radhë, as nga Ferizaji i tij! Ndërkaq, autori Guta u kthye po në mërgimin e tij rreth 40-vjeçar, vetëm me një LAMTUMIRË metaforike individuale që më kishte lënë në Hotmail!

Porse puna dyzetvjeçare e autorit – regjisor Guta kushtuar Aleksandër Moisiut flet vetvetiu, sepse ajo është e lartësuar në 4 – 5 vepra zhanresh të ndryshme, me titujt si: “I madhi midis të mëdhenjve”, “Epika e mbiemrit”, “Tok me Moisiun”, “Pranvera shqiptare e Moisiut”- kjo tani për 135 – vjetorin e lindjes së aktorit – sikundër edhe një dokumentar filmik me të njëjtin motiv, për “Pranverën…” jubilare, pastaj intervista televizive etj.

moisiu2006       moisiu2009

moisiu2013    moisiu2014

Autori Guta, në takimin e fundit në Kaçanik, me besim kërkoi përkrahje, me respekt më dhuroi tërë opusin e tij për Moisiun, ku edhe i premtova gatishmërinë e Gjimnazit “Skënderbeu”…

Mirëpo, nxënësit tanë pastaj i shpërbleu edhe me një recital  tematik: “UNË KAM ATDHE!” (KUVENDIMI I MËRGIMTARIT ME ALEKSANDËR MOISIUN) – poezi me të njëjtin titull e autorit Guta, me refrenin madhështor për Moisiun:

“ME SHQIPËRINË NË GJI,
MORI FLAKË E DRITË,
UDHËTON NË TËRË BOTËN,
SI DIELL DUKE NDRIT!…“

E përgatitëm me dashuri e përkushtim racitalin, begatuar edhe me aktivitete tjera përkujtimore e artistike – muzikore, e shfaqëm më 2 prill 2014, në Gjimnazin “Skënderbeu”, që vetëm emocioni i ditëlindjes mund ta shpjegojë e ku edhe nxënës të shkollës “Kadri Zeka” të Dubravës interpretuan këngë me një polifoni të kultivuar për admirim…

Fati e ka dashur që edhe ditëlindja e profesorit tonë Vebi Berisha, më 2 prill, përkatësisht pensionimi i tij po atë ditë, të koincidojë me ditëlindjen e aktorit Aleksandër Moisiu!

Përkujtim e përshëndetje me thekse të mpiksura edhe në fjalë rasti për këtë emnesë:

– … Ndërkohë që ne ishim të përcaktuar për programe të veçanta: së pari, për jubileun e 135-të të ditëlidnjes së aktorit shqiptar me famë botërore, Aleksandër Moisiu dhe përurimin e veprave të regjisorit të nderuar Isak Guta, kushtuar këtij kolosi shqiptar të skenës teatrore evropiane e botërore; pastaj, për profesorin Vebi Berisha, i cili tani, shëndoshë e mirë, po pensionohet nga puna e rregullt, për të vazhduar me angazhime të lira intelektuale…

Për fat, ditëlindja e profesor Vebi Berishës, 2 prilli, përkon me ditëlindjen e aktorit Aleksandër Moisiu, ndaj u pajtuam t’i shënojmë së bashku: Moisiun  duke e përkujtuar, ndërsa profesorin Vebi duke e përshëndetur për shekullin e punës.

Aleksandër Moisiu, të dashur nxënës, siç keni mësuar edhe që në shkollën fillore, u takon njerëzve me famë të lartë botërore, për më tepër në fushën e artit. Ndërkohë që, për ta thënë si për kuriozitet, gjatë luftës së parë botërore, si ndihmëspilot i zënë, ishte këmbyer me një gjeneral francez!

Po, duke qenë në piedestalin e kryeroleve skenike të figurave protagoniste më komplekse, e konsiderojmë si një njeri më pranë Zotit se sa ne njerëzit e rëndomtë, që lutemi për veprat e mëdha…

Moisiu, ishte një bir gjenial i Shqipërisë, një yll i krenajës artistike, i cili me mjeshtrinë e tij lartësoi përmasën e imazhit të Atdheut-Shqipërisë në përmasë interkontinentale, duke luajtur deri në mrekulli protagonistët e kryeveprave më të mëdha botërore, me dhjetëra, me qindra e madje-madje edhe me mijëra herë, deri në interpretime krijuese veçse edhe në katër gjuhë të botës!

Ndaj, me të drejtë parafrazojmë se kryerolet ishin bërë për Moisiun e Moisiu për kryerolet e skenës botërore! I cili për Atdheun e për njeriun e për skenën sikur zbatoi vetëm një urdhër, si një Hamlet i dytë: patjetër – të jesh…!

Ky simbol i artit, i quajtur Moisi, i gjallë në tokë e qiell, pavdekësinë e të cilit e ruajnë: çmimi “Unaza e Inflandit” e dekorata “Artist i Popullit” i Shqipërisë, po edhe një galeri përmendoresh, rrugësh, institucionesh, monografishë, e mbi të gjitha kujtesa e pavdekshme artistike dhe ndjenja estetike  në mendjen e shëndoshë të njeriut.

Moisiu ndërroi jetë në Vienë, në moshën 56 vjeç, më 22 mars 1935, aty ku edhe filloi magjinë e artit kulmor.

Rolet e Aleksandër Moisiut flasin për identitetin e tij skenik, ndërsa për indentitetin e vet kombëtar Moisiu thotë: “Babai im është shqiptar dhe nëna ime është shqiptare nga arbreshët. Shiko pra, që gjaku im i përket përkatësisë sime …”

E, me besnikërinë e tij ndaj artit e teatrit, Moisiu thotë: “Njeriu është fenomeni më i lartë…, teatri do ta vë në epiqendër të krijimtarisë pikërisht njeriun.”

Prandaj edhe sot, ne nuk i themi LAMTUMIRË aktorit, por bashkëjetojmë  me hijen kulturore të tij, me MIRUPAFSHIM përvjetorëve të tjerë të lavdishëm.

Të nderuar miq e nxënës të dashur, me këtë aktivitet ne vogëlsia e Gjimnazit “Skënderbeu” e bëmë një shenjë e një gjest se e admirojmë figurën legjendare artistike të Aleksandër Moisiut dhe e çmojmë mundin që krijuesit si Isak Guta shkrijnë energjitë e tyre për kolosët kombëtarë e gjithnjerëzorë.

Sot, kur simbolikisht unifikuam ditëlindjen e Moisiut me ditëlindjen e profesorit tonë Vebi Berisha.

Lavdi e përjetshme, aktor Moisi! Urime, profesor Vebi!

Ibush Vishi
Drejtor i Gjimnazit “Skënderbeu”

[EasyGallery id=’2prill2014′]

Imazhe nga aktavitetet kulturo-artistike me rastin e ditëlindjes së
Aleksandër Moisiut dhe pensionimit të profesor Vebi Berishës