Dita e Mësuesit – rast për mirënjohje edhe profesorit të dalluar z. Daut Shehu…



Për organizimin e Festës së 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ishte në shërbim edhe Këshilli Organizues i emëruar nga DAK.
Me rastin e ceremonisë së ndarjes së mirënjohjeve mësimdhënësve të dalluar (ku nga Gjimnazi “Skënderbeu” ishte propozuar z. Daut Shehu, profesor i lëndës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë), në emër të KO dhe në cilësinë e moderatores, paraprakisht mori fjalën edhe drejtoresha e SHMU “Idriz Seferi” të Bobit, znj. Florije Zeneli-Berisha. Duke përshëndetur të pranishmit, theksoi:
– Të nderuar mësues, të nderuar kolegë drejtorë dhe të gjithë ju që ju kemi pranë,
Na ka bashkuar Dita e Mësuesit – 7 Marsi i shkollës shqipe. Jam e nderuar nga DAK dhe kolegët e mi të Këshillit Organizues të kësaj ngjarjeje që t’ju përshëndes e t’ju uroj: gëzuar Festën tonë të madhe!
Nuk do të ishim si sot, pa kuptimin që të parët tanë i dhanë historisë; pa përpjekjet, sakrificat dhe rëniet heroike për lirinë, për gjuhën, për shkollën shqipe! Prandaj, mëse një herë thuhet se mendja e arsimuar bart mësimet e shekujve.
Me të drejtë edhe Betimi solemn i mësuesit, pra, se secili nesh do ta kryejë detyrën me ndërgjegjje dhe krenari dhe se nxënësit nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë tanë, për të cilët edhe vetë mbajmë përgjegjësi…
Me këtë motivacion kemi ecur dje, ecim sot, sikundër edhe brezat që do të vijnë…
Gjithmonë të përbashkuar qëllimit të lartë: për Atdheun, për diturinë, për prindërit dhe fëmijët e për të drejtat universale njerëzore; ashtu siç na mësojnë edhe: Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rilindja Kombëtare, Dita Ndërkombëtare e Gruas, si dhe e gjithë bota demokratike për jetën e lirë dhe diversitetin e vlerave të përbotshme.
Mirënjohje e përhershme mësuesit besnik të popullit e të vlerave njerëzore, i cili çdo ditë angazhohet të kultivojë personalitetet e vlefshme për familjen, për shoqërinë e për kombin.
Ju faleminderit!