
Kishte ditë që nxënësit dhe personeli i Gjimnazi “Skënderbeu” po merreshin me aktivitete për nder 28 Nëntorit.
Sot, në frymë kremtuse, u zhvillua një program kulturo-artistik e sportiv, si: finalja në basketboll (për çka u fituan edhe medalje), ekspozita figurative dhe një program kulturo-artistik me këngë e recitime, të gjitha me motivacion Festën e Flamurit Kombëtar-Pavarësinë e Sqipërisë, si ditën më të lumtur të mbarë shqiptarëve dhe të gjitha ngjarjet e shënuara të këtij muaji të kuq!
Me këtë rast, nxënësve, trupit arsimor, administrativ e teknik iu drejtua prof. Selim Reka, koordinator i ndërrimit, me një fjalë rasti, përshëndetjeje e nderimi, ku, me kujtimin e ndritur për dëshmorët dhe martirët, për heronjtë e kombit, për intelektualët e devotshëm iluministë, sakrificat, flijimin, vetëmohimin dhe heroizmin njerëzor për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, u shpalosën ngjarjet, bëmat historike e ditët e bekuara: 28 Nëntori i Flamurit të Skënderbeut, Kongresi i Manastirit i ABC-së Shqipe, 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, ditëlindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24-vjetori i rënies së dëshmorit Ismajl Raka…
Në dritën festive, nxënësit tanë i falënderuam për shkëlqimin edhe në aktivitetet jashtkurrikulare, si: aktivitetet sportive, teatrore, muzikore, në aktivite konkurruese të ndërmarrësisë, më në fund edhe në projekte filmike etj.; që kanë rezultuar me përfitimin e shumë projekteve dhe donacioneve, si pajisja e Qendrës së inovacioneve me kompjuterë, mjete dhe artikuj të ndryshëm elektronikë; teknika e zërimit dhe mjetet e veglat tradicionale e moderne muzikore, sportive etj.
Gjithashtu, u theksuan edhe arritjet dhe investimet këtij viti, në objektin shkollor, që kapin shifrën rreth 200 mijë euro, në kuadër të projektit “Efiçienca” dhe projekteve tjera renovuese e të pajisjes, financur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Drejtoria e Arsimit dhe Kulturës-Komuna e Kaçanikut dhe donatorë të ndryshëm.
(Në emër të të dy drejtorive – të Gjimnazit dhe asaj komunale të Arsimit dhe Kulturës, falënderim i veçantë iu shpreh nxënësve, mësimdhënësve dhe i tërë personelit, po edhe prindërve, për bashkpunimin dhe gatishmërinë edhe për zëvendësimin e ditëve të shtyra të mësimit për shkak të renovimeve.)
Të motivuar dhe entuziastë dhe nga Viti i Skënderbeut 2018, me dëshirë dhe bindje se nxënësit tanë mund të jenë edhe heronj të dijes e të epokës digjitale, programi përfundoi me urimin më të përzemërt për Ditën e Flamurit Kombëtar dhe suksese të reja!