
Të dashur nxënës, të nderuar profesorë dhe personel teknik të Gjimnazit “Skënderbeu“,
Sot, në vigjilje të 13-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kur me përkushtim e përkulje përkujtojmë të rënët me madhështi për lirinë e Atdheut dhe urojmë njëri-tjetrin për këtë ngjarje madhore, patjetër kemi edhe një si çast reflektimi për punën tonë.
Pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt 2008, erdhi si rezultat i përpjekjeve, betejave e luftërave të pareshtura shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi, por edhe me përpjekjet dhe angazhimin institucional të pasluftës çlirimtare. Krahas së cilave fryte Kosova ka kultivuar një demokraci që jo rrallëherë është marrë edhe si shembull për rajonin, si me zgjedhjet e lira etj.
Entuziazmi i lirisë, ndërkaq, dhe sendërtimi i saj, përbën idealin më të lartë për lumturinë e njeriut. Prandaj, edhe akti i pavarësisë, shteti dhe përgjegjësia institucionale, diturore, morale e intelektuale na obligojnë nivelin e detyrës. Bazuar po në aksiomën e lirisë, edhe poeti gjerman, Bertolt Breht, i thur lavde pikërisht mësimit, duke këshilluar e qortuar të gjitha kategoritë që të mësojnë, ngase edhe “Udhëheqjen duhet ta marrësh ti!”, krahas porosisë që të “Kujtoni edhe kohërat e errëta / Prej të cilave keni shpëtuar…”
Jemi përpjekur e po përpiqemi, për arritjet edukative-arsimore dhe shëndetin tonë të përgjithshëm, individual e shoqëror, me projektet kapitale, infrastrukturore teknike e teknologjike, me pajisjet e reja të TI, arteve dhe kulturës fizike e shëndetësore etj., mbështetur veçanërisht edhe nga Drejturia e Arsimit dhe Kulturës, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, donatorët etj.Sfidë më vete, patëm dhe kemi, edhe pandeminë Covid 19, kundër së cilës kujdesi i shtuar institucional, veçanërisht i Institutit të Shëndetit Publik, por edhe kujdesi individual, bënë që ta mirëmbajmë gjendjen dhe të parandalojmë shkaktarët dhe pasojat.
Përgjigje ndaj këtyre situatave, ishte edhe ngritja e infrastrukturës virtuale, si: klasat dhe grupet e nevojshme virtuale – aktivet profesionale dhe organet tjera…; pa çka se edhe si formë bashkëkohore, plotësuese, e mësimit me prani në shkollë. Krahas trajnimit e ri-trajnimit të kuadrit për TI, për çka falënderojmë veçanërisht mësimdhënësit e TIK, koordinatorin e cilësisë, por edhe gjithë mësimdhënësit për gatishmërinë e tyre.
Gjithashtu, ri-përtëritëm Uepfaqen e Gjimnazit – www.skenderbeu.school , zhvilluar nga nxënësit tanë; ndërsa, për cilësinë e shkollës, ndërkohë u pasuruam edhe me kuadro specializimesh të veçanta – pedagogen dhe psikologen.
Nxënës të dashur dhe personel i Gjimnazit,
Të ngrisim edhe më kulturën dhe shprehinë e leximit e të mësimit, fuqizimin e grupeve të ndryshme dhe aktiviteteve të lira kulturore e inovative etj., shtuar edhe revistën e shkollës – “Gjimnazisti”.
Të bashkëveprojmë që shkollën tonë ta bëjmë shembull të edukatës dhe arsimit cilësor, ku breza nxënësish edhe pas nesh të kenë entuziazmin dhe mundësinë më të lartë të përgatitjes për botën akademike dhe tregun e punës.
Gëzuar 13-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës!
Shëndet dhe suksese të gjithëve!
16.2.2021
Drejtori, I.Vishi