Sot, në Gjimnazin “Skënderbeu”, Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut e Kosovës, nëpërmjet një ekipi 9-anëtarësh, në krye me dr. Bahrije Halili-Gjocaj – specialiste e transfuzionit të gjakut – zhvilloi aksionin tradicional të dhurimit të gjakut në shkollën tonë.
Dr. Bahrije Halili-Gjocaj, ndërkaq, na dha shumë informacione për të mirat dhe dobitë e dhurimit të gjakut, madje si për dhuruesin edhe për nevojtarin. Se, gjaku është dhurata më e çmueshme njerëzore, se dhuruesi përfiton një kontroll specialistik të vlefshëm, caktohet grupi i gjakut, identifikohen sëmundje eventuale, se organizmi krijon një shkas për ripërtëritjen e gjakut, se dhuruesi, në rast nevoje, mund të përfitojë shërbimin për vete, për familjen, për institucionin…; se i sëmuri shërohet dhe përfiton nga jeta…
Pra, se dhurimi i gjakut, thjesht është HUMANIZËM…
Kështu, të edukuar edhe më parë, u vunë në dispozicion numër i konsiderueshëm nxënësish të klasave të XII-a, ndërsa, kryesisht për shkak të moshës, u morën vetëm 56 doza (prej tyre 3 mësimdhënës).
Në mesin e dhuruesve, veçuam edhe nxënësen Fjolla Mulaku – Klasa XII-8 – e cila na foli me një ndjenjë shumë fisnike dhe me kompetencë njohëse për, siç tha ajo, mundësinë e organizmit dhe detyrimin njerëzor ndaj të sëmurëve dhe ndaj jetës si fenomen.
Fjolla tha se ky imazh e kjo praktikë njerëzore na nderon të gjithëve: individin, familjen, shoqërinë…
Ndërkohë, nxënësit, si dhurues vullnetarë të gjakut, presin edhe kartelat e anëtarësisë.