
Nxënësit e klasës X-1 të gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik vazhdojnë ta shprehin kreativitetin dhe përkushtimin e tyre në aktivitete që zhvillojnë të menduarit kritik dhe kontribuojnë për komunitetin.
Me nismë të nxënëseve të kësaj klase, Leonita Raka dhe Bleona Gashi, dhe me pjesëmarrje të nxënëseve Aurora Raka (X-2), Sara Bela (X-3) dhe Viona Bajrami (X-4) u fitua granti në vlerë prej 500 eurosh nga Podium, iniciativë e UNICEF Innovations Lab Kosova për projektin “Të bëjmë të lumtur komunitetin”. Menaxhimi i stresit do të adresohet përmes një sërë aktivitetesh të planifikuara për nxënësit e gjimnazit.
Në të mirë të komunitetit ishte edhe projekti për riciklimin e plastikës në të cilën punuan nxënësit Artin Topojani, Endrit Loku, Nevzat Çallaku, Kaltrina Çallaku dhe Bleona Gashi. Ata ndoqën punëtorinë në gjuhën angleze në Ambasadën Finlandeze në Prishtinë, dhe edhe pse ishin pjesëmarrësit më të rinj në moshë, shkëlqyen në prezantimin e idesë së tyre.
Nxënësit Amir Hoxha, Elvira Muhaxheri dhe Arnita Guri vazhduan përfaqësimin e prezantimin e denjë të projektit të realizuar nga të gjithë nxënësit e klasës X-1. Këtë radhë, me anglishte të shkëlqyer, para profesorëve të Gjuhës Angleze në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, nxënësit shpalosën projektin kundër bullizmit “Words hurt, we choose kindness” (Fjalët dhembin, ne e zgjedhim mirësinë) të implementuar nga Shoqata e Mësimdhënësve të Gjuhës Angleze, sponzoruar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Në kuadër të këtij projekti, nxënësit kishin shkrepur fotografi shumë domethënëse për të ngritur vetëdijen kundër bullizmit në shkolla dhe për të inkurajuar mendimin kritik. Një fakt interesant ishte se nga shumë shkolla të Kosovës, vetëm gjimnazi ynë kishte edhe nxënës pjesëmarrës në panair, përveç mësimdhënëses së gjuhës angleze, Ariana Çaka.
Krenarë për dinamizmin e tyre, dëshirën për të ndryshuar e energjinë për të vepruar.