AKTIVITETE KULTURO-ARTISTIKE E SPORTIVE
Jubileu i 5-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe në Gjimnazin “Skënderbeu” u prit e u shënua me shumë kënaqësi e gëzim: për jetën e lirë e të pavarur; me devocion e detyrim: për heronjtë, për dëshmorët e për të gjithë shërbëtorët e atdheut; me entuziazëm e frymëzim: për punë, mësim e aktivitete për të sotmen e për të ardhmen që synojmë…
Pikërisht në këtë frymë festive, e me fjalët më të zgjedhura, përshëndeti edhe drejtori i shkollës, z. ibush Vishi, ku duke aluduar në luftën për liri, ndër të tjera tha: ”Aktet më madhore janë kryer më parë, tani na ka ngelur detyrimi për punë dhe mësim…”
Nxënësit, mësimdhënësit dhe i gjithë personeli, mbështetur nga drejtoria e shkollës, për jubileun e pavarësisë, manifestuan edhe një program të larmishëm kulturo-artistik e letrar, si aktivitetet garuese: ekspozita tematike, ese me titullin “Për Pavarësinë e Kosovës, të rënët e të gjallët nën flamurin e shqiptarisë”, turne në futboll të vogël; si dhe recital, poezi e këngë e valle.
Për cilësinë dhe rezultatet në pikturë, në ese e në futboll u dhanë edhe mirënjohje e dhurata…