Gjashtëvjetori i Pavarësisë së Kosovës i gjeti të mobilizuar nxënësit, profesorët dhe tërë personelin e Gjimnazit “Skënderbeu”. Të angazhuar për punë dhe mësim dhe të gatshëm që me një sërë aktivitetesh dhe me entuziazëm të shtuar ta festojmë 17 Shkurtin-Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Aktivitetet përgatitore kishin filluar ditë më parë, si gara për esenë më të mirë, për poezinë më të mirë, për punimin artistik më të mirë, për ekipin e për lojtarin më të mirë në basketboll e volejboll…
Manifestimi kryesor u mbajt më 14 shkurt 2014.
Krahas nxënësve dhe personelit të Gjimnazit, aty ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, z. Besim Ilazi dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës, z. Enver Kamishi. Që të dyve iu dha fjala të përshëndetnin manifestimin për ditën e shënuar të Pavarësisë. Duke përshëndetur, kryetari i Komunës përkujtoi në sakrificat dhe flijimet për lirinë e atdheut dhe inkurajoi për punë, mësim dhe angazhime të gjithëmbarshme në të mirë të ndërtimit të vendit e të përparimit të jetës sonë në liri. Në fjalën e tij, edhe drejtori i DAK përgëzoi të pranishmit për të arriturat tona dhe detyrimet, duke përshëndetur edhe për aktivitetet e lira, sidomos ato sportive-të cilat i ka edhe si vokacion të tij. Ndërsa që të dy folësit shprehën gatishmërinë për të ndihmuar arsimin dhe Gjimnazin “Skënderbeu”.
Ndërkaq, drejtori i Gjimnazit, z. Ibush Vishi, përshëndeti dhe tha: “Historia ishte e gjatë, e dhimbshme dhe e lavdishme, dhe do të jetë e pambarim, ndërsa festa është e shkurtër dhe frymëzuese. Është edukatë të dish të flasësh, por edhe të dëgjosh. Na duhet punë edhe më cilësore dhe qasje kulturore…”
Pjesë e programit kulturor, letrar, artistik e sportiv ishin shumë nxënës dhe ekipe, të cilët edhe u publikuan si të përzgjedhur në shkallë vendesh të ndryshme, ndërsa për cilësitë e tyre që të gjithë të përzgjedhurit u shpërblyen me dhurata, si: libra, komplete pajisjesh dhe mirënjohje të veçanta për cilësinë e treguar në programin festiv.
Duhet theksuar se në zhvillimin e garave dhe në përgatitjen e programit festiv ishin të angazhuar veçanërisht profesorët e lëndës së Gjuhës Shqipe, Edukatës Fizike, Artit Figurativ e Artit Muzikor.
Programin e moderoi nxënësja shembullore-maturantja Malësore Prushi.