
Këshilli i Prindërve i Gjimnazit “Skënderbeu” ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën janë promovuar anëtarët e rinj të këtij këshilli. Nga 25 anëtarë sa ka ky këshill, 16 prej tyre janë për herë të parë. Këshilli ka zgjedhur dy anëtarë të cilët i ka deleguar në Këshillin Drejtues të Gjimnazit “Skënderbeu”, pasi këto dy vende patën mbetur vakante për shkak të përfundimit të mandatit të dy ish-anëtarëve. Këshilli është përcaktuar që atë ta përfaqësojnë në KDSH z. Faton Brruti dhe znj. Hafize Sallahu. Në këtë takim, kryetari i KP-së, z. Kjani Sallahu, ka folur për rolin dhe rëndësinë e këtij këshilli si dhe ka raportuar për ekskursionin e maturantëve të kësaj gjenerate, në fund të muajit shtator të këtij viti. Ndërkaq, drejtori i Gjimnazit “Skënderbeu”, Ibush Vishi, ka prezantuar një informatë lidhur me funksionimin e gjimnazit, përkatësisht preokupimet e përgjithshme për mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor. Me këtë rast gjithashtu është shprehur edhe preokupimi se, me gjithë përpjekjet, njoftimet dhe ftesat edhe zyrtare, është duke munguar prezenca e duhur e prindërve në shkollë, kontaktet e tyre me kujdestarët e klasave dhe interesimi për fëmijët e të tyre në këtë gjimnaz. Është apeluar që prindërit të jenë më aktivë në këtë aspekt, por edhe më insistues për përmbushjen e rolit të tyre përfaqësues dhe vendimmarrës.