
Të dashur nxënës, prindër dhe ju mësimdhënës të nderuar!
Me dëshirën e jashtëzakonshme që para së gjithash të jeni shëndoshë, përsërisim njoftimin e MASHTI-t dhe DAK për fillimin e mësimit në distancë, prej nesër, 23.03.2020, nga ora 11:15, në RTK1 dhe RTK4.
Gjendja që na detyroi për praktikimin e kësaj mënyre mësimi tashmë është e njohur: pandemia Coronavirus – COVID 19!
Megjithatë, nuk është hera e parë që mësimin detyrohemi ta bëjmë jashtë objekteve shkollore, ndonëse rrethanat e kaluara për ne ishin të motivuara nga mungesa e lirisë.
Prandaj, të dashur nxënës, prindër e mësimdhënës, sikundër ato vështirësi shoqërore që i kemi sfiduar me sukses, kemi besim të plotë se, me forca të bashkërenduara, me përgjegjësi qytetare dhe me solidaritetin gjithnjerëzor që po ndodh, do ta tejkalojmë edhe këtë sprovë.
Të dashur nxënës, sikurse edhe vetë jeta që kërkon njerëz të ndërgjegjshëm, të vetëdijshëm e të ditur, veçanërisht kjo gjendje shëndeti të kërcënuar sot nga pandemia aktuale, kërkon detyrimisht angazhim me përgjegjësi e përkushtim për të ardhmen tuaj të shëndoshë!
Me shpresë dhe besim në ditën e afërt kur do të përshëndetemi e do të mësojmë dhe punojmë në shkollë, Ju ftojmë më se një herë për vëmendje të përqendruar ndaj çdo mundësie mësimore.
Me respekt të veçantë!
Juaji – drejtori,
Ibush Vishi