Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ministri i Shendetësisë, Armend Zemaj, si dhe përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, IKShPK-së, ShSKUK-së, SBAShK-ut, Këshillit të Prindërve dhe DKA-ve, kanë mbajtur sot një takim ku është diskutuar për fillimin e vitit shkollor 2020-2021 në kushte të pandemisë.
Në këtë takim, palët u dakorduan që viti shkollor 2020/2021 të fillojë më 14 shtator 2020 dhe më pas të vijojë sipas vendimit të MASh për fillimin e mësimit, Master Planit të MASh të miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe udhëzuesve përkatës.
Shtyrja e fillimit të vitit shkollor bëhet me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit, duke siguruar një mobilizim më të madh të përgjithshëm në përballje me pandeminë në Kosovë.
Pjesëmarrësit në mbledhje iu bënë thirrje të gjithëve që të respektojnë tri rregullat: distancën, bartjen e maskave dhe pastërtinë, si dhe të mobilizohemi për përballje me pandeminë në vazhdimësi dhe bashkërisht.
Ndryshe nga kjo, Gjimnazi “Skenderbeu” sot pati një takim të Task Forcës për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, ku u morën qëndrime rreth fillimit të këtij viti shkollor, konform udhëzimeve të Qeverisë, bazuar edhe në specifikat lokale në rrethanat e pandemisë…
Gjithsesi, tani jemi në zbatim të vendimit të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.