Përfundoi afati i parë i regjistrimit të nxënësve për vitin e ri shkollor 2013/’14. Për 288 vende, konkurruan 330 nxënës, ndërsa kriteret i plotësuan 222. Kanë mbetur të lira 66 vende: 15 në Shkenca Natyrore, 23 në Matematikë-Informatikë dhe 28 në Shkenca Shoqërore.
Për tu njoftuar me praktikën e procesit të regjistrimit dhe me rezultatet që ishin gati në kohën e saktë – më 10 korrik 2013, ora 16:00, Drejtoria e Gjimnazit ftoi edhe udhëheqjen komunale.
Me këtë rast, drejtori i Gjimnazit “Skënderbeu”, z.Ibush Vishi, theksoi se sivjet janë planifikuar të regjistrohen gjithsej 288 nxënës në 9 paralele të klasave të dhjeta, në tri drejtime:
- Shkenca natyrore – 96 nxënës (3 paralele);
- Matematikë-Informatikë 64 nxënës (2 paralele);
- Shkenca Shoqërore – 128 nxënës (4 paralele).
Në takim ishin të pranishëm: kryetari i Komunës z. Besim Ilazi, nënkryetari z. Remzi Elezi, zyrtarët komunalë të arsimit z. Avni Krasniqi dhe z. Hafet Ceka, si dhe anëtarët e Komisionit të Regjistrimit.
Kryetari z. Besim Ilazi përgëzoi personelin e Gjimnazit dhe Komisionin e Regjistrimit për punën e tyre korrekte zyrtare e profesionale. Kryetari Ilazi shprehu mirënjohje edhe për saktësinë dhe azhuritetin e përpunimit të të dhënave.
Prezantimin grafik të të dhënave e bëri prof. Berat Berisha, autor i programit. Vlen të theksohet gjithashtu se ky program në këtë shkollë është në zbatim qe tre vjet, me një modifikim të tij sivjet që u bë si pasojë e ndryshimit të kritereve të regjistrimit nga MASHT.
Në fund, drejtori i Gjimnazit falenderoi udhëheqjen komunale për vizitën, siç përgëzoi edhe Komisionin për punën e mbarë e me shumë përkushtim dhe për saktësinë kompjuterike të përpunimit të rezultateve, me një falenderim të veçantë profesorit Berat Berisha, hartues i programit kompjuterik të regjistrimit.