Të dashur nxënës, të nderuar prindër, mësimdhënës dhe staf teknik të Gjimnazit “Skënderbeu”,Drejtoria e shkollës, para së gjithash, shpreh kënaqësinë që jemi shëndoshë!

Ju rikujtojmë se, sipas Vendimit të MASH për Kalendarin Shkollor 2020/’21, Periudha e Dytë Mësimore fillon më 18.1.2021, ditë e hënë.

Përshtatur gjendjes pandemike me Covid-19 jo vetëm ndër ne, si dhe në përputhje me Vendimin e 15.1.2021 të Taskë-Forcës së Gjimnazit dhe rekomandimet e Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës në takimin me drejtorët e shkollave po të njëjtën datë, mësimin do ta fillojmë sipas Skenarit A – me mësimin e vazhdueshëm në objektin shkollor.

(Me gjithë përgatitjet edhe për përsëritjen e skenarëve të tjerë, jo të panjohur gjatë PP, për çka vullnetarisht është zhvilluar edhe një trajnim i brendshëm për aftësimin e mëtejshëm të stafit arsimor për TI dhe shfrytëzimin e infrastruktuarës virtuale.)

Për dijeninë tuaj, ju njoftojmë se përgjatë gjithë pushimit dimëror, e deri në ditën sotme, janë ndërmarrë të gjitha veprimet higjieno-teknike në objektin shkollor, si: pastrimi i vazhdueshëm, riparimet e reja, lyerja dhe ngjyrosja, shtimi i cilësisë dhe kapaciteteve sanitare e teknologjike; sikundër edhe furnizimet e mjaftueshme me artikuj dhe mjete edhe kundër infeksionit pandemik me Covid-19, shtuar edhe pastrimin e përgjithshëm dhe dezinfektimin e plotë profesional të sotëm.

Theksojmë: mësimi do të zhvillohet sipas ndërrimeve të rëndomta I-II, përkatësisht nga dy grupe për ndërrim – AB, AB. (Bashkëngjitur, edhe orari i ziles, sikurse edhe në klsasat virtuale-shtuar edhe orarin lëndor.)

Drejtoria e Gjimnazit, ju dëshiron shëndet, mirëseardhje, përkushtim, punë të mbarë dhe suksese edhe më të mëdha!