Të shqetësuar për mosfillimin tashmë 2-javor të mësimit në Periodën e II-të Mësimore, me ftesë të Drejtorisë së shkollës, sot më 25.1.2019, u takua Këshilli i Arsimtarëve i Gjimnazit “Skënderbeu”, ku pikë kryesore e rendit të ditës ishte:
– Detyrimet për Periodën e II-të Mësimore 2018/’19, me theks pasojat e grevës aktuale të SBASHK-ut dhe besimi për zgjidhjen e saj.
Takimin e kryesoi drejtori i shkollës, z. Ibush Vishi, i cili pas miratimit të rendit të ditës nga të pranishmit, ku ishin masa absolute e anëtarëve të Këshillit, paraqiti shqetësimin e përgjithshëm për humbjen e ditëve të mësimit, aq më shumë se në shkollën tonë humbjet janë edhe më të mëdha, meqë edhe në muajin shtator mësimi është shtyrë për 20 ditë pune, nga shkaku i vonesës së punimeve kapitale në objekt. Ndërkaq, ai theksoi se deri tani 10 ditë veç janë zëvendësuar të shtunave, ashtu siç ishte programuar të punohej edhe e shtuna e nesërme e 26 janarit, po të mos ishte rasti i grevës.
Takimi u zhvillua në trajtë brenge të madhe dhe shqetësimi real të të gjithëve për humbjet që po shkaktohen në mësim.
Në takim folën edhe disa anëtarë të këtij Këshilli, e nga diskudimet dolën përfundimet se edhe kolektivi i Gjimnazit “Skënderbeu”, bazuar në të drejtën legjitime sindikale, mbështet qëndrimet dhe praktikën e SBASHK-ut, me gjithë shqetësimin e madh për rastin tonë specifik.
Në diskutime, pati fjalë miradie për Drejtorinë e shkollës, sikundër edhe për Drejtorinë e Arsimit dhe Kulturës, për qëndrimin e tyre të urtë dhe konstruktiv edhe gjatë kohës së grevës, ndërsa u shpreh gatishmëri e plotë për fillimin e punës posa të ketë marrëveshje ndërmjet SBASHK-ut dhe organeve qeveritare.
Në fund, u theksua se për çdo rast eventual, adresa e kësaj çështjeje është Këshilli grevist.