Nxënësit e Gjimnazit “Skënderbeu” zgjedhin udhëheqësit e tyre

Në kuvendin zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Skënderbeu”, në Kaçanik, janë zgjedhur sot udhëheqësit e këtij këshilli.

Kryetar i Këshillit të Nxënësve është zgjedhur Shpat Bulica, i sapoardhur në këtë gjimnaz, përkatësisht nxënës i klasës 10-të. Në një proces shumë demokratik dhe në procedurë zgjedhore të rregullt e korrekte në çdo detaj, i është dhënë legjitimitet i plotë kryetarit Bulica, bashkëkryetarit, sekretarit të parë e të dytë, përkatësisht arkëtarit të parë e të dytë të këshillit në këtë mandat të ri. I tërë ky proces është udhëhequr nga drejtues kompetentë, nga komisioni i zgjedhur dhe gjithashtu është monitoruar.

Kryetari i sapozgjedhur, Shpat Bulica, përveçse do t’i prijë Këshillit të Nxënësve, nga kjo pozitë, të njëjtin do ta përfaqësojë edhe në Këshillin Drejtues të Gjimnazit “Skënderbeu”, sikundër edhe në Këshillin Rinor të Kosovës.

Në kuvend ishin pjesëmarrës dhe kanë ndihmuar në tërë procesin zgjedhor edhe Ibush Vishi – drejtor i gjimnazit, z. Kjani Sallahu – kryetar i Këshillit Drejtues të Gjimnazit “Skënderbeu”, prof. Berat Berisha – koordinator i cilësisë, prof. Selim Reka e prof. Sherife Troni – koordinatorë ndërrimi, si dhe z. Zylfi Shehu – administrator.

Gjimnazi “Skënderbeu” numron gjithsej 24 paralele nxënësish, prej të cilave shtatë të klasës së 10-të, tetë të 11-tës dhe nëntë sosh maturantë – klasë e XII-të.