Më 27 shtator 2015, në Kaçanik, në moshën 56 vjeç, ndërroi jetë profesoresha Suzana Zeneli. Varrimi i saj u bë më 28.09.2015, në fshatin Bob të Kaçanikut.
Profesoresha Suzana Zeneli ishte mësimdhënëse e lëndës së Filozofisë në Gjimnazin “Skënderbeu” të Kaçanikut. Me rastin e vdekjes së saj, në Gjimnaz u mbajt edhe një takim komemorativ, ku ishin tubuar personeli dhe nxënësit e Gjimnazit, drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe zyrtarë të tjerë, drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale, z. Bafti Loku dhe kolegë të tij, familjarë të së ndjerës etj. Në takim, për nder të prof. Suzana Zeneli, foli drejtori i kësaj shkolle, z. Ibush Vishi. Ndërkaq, në ceremoninë e varrimit, fjalën mortore e mbajti prof. Sherife Troni.
Për hir të prof. Suzana Zeneli, në Gjimnazin “Sënderbeu” nuk u mbajt mësim, për çka Drejtoria e shkollës njoftoi se kjo ditë mësimore do të zëvendësohet në vazhdim.
Suzana Shehi-Zeneli u lind më 27 tetor 1959 në Gjilan, ku mbaroi edhe shkollimin fillor e të mesëm. Ndërsa studimet, për Filozofi-Sociologji, i kreu në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës.
Profesoresha Suzana, fillimisht, më 1995, ishte angazhuar në Shkollën e Mesme të Mjkësisë “Elena Gjika” të Ferizajt – pralelelja në Kaçanik, duke vazhduar pastaj në paralelen e Gjimnazit “Skënderbeu” të Kaçanikut në Han të Elezit, ndërkohë që nga shtatori 1998 e deri tani ishte e angazhuar po në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik.
Përfundimisht, profesoresha Suzana ishte e angazhuar edhe në trajnimet dhe seminaret e ndryshme profesionale për zbatimin e Kurrikulës së re, derisa na la lamtumirën…
Suzana Zeneli ishte bashkëshorte e Bedri Zenelit, gjithashtu i ndjerë, me të cilin trashëguan 4 fëmijë – 2 vajza e 2 djem – dy prej tyre kanë përfunduar universitetin, ndërsa 2 vazhdojnë mësimin akademik e të mesëm, përkatësisht, i vogli – Liridoni ndjek mësimet në klasën e XI-të në Gjimnazin “Skënderbeu.
Profesoresha Suzana Zeneli ishte e nderuar në mesin e kolektivit të Gjimnazit, ku edhe dallohej me mënyrën dhe intensitetin e komunikimit, nxitëse e temave të ndryshme debatuese për jetën dhe punën, deri te polemika dhe humori, duke begatuar marrëdhëniet njerëzore e kolegiale edhe me stilin e saj të veçantë.
Suzana Zeneli i mungon familjes dhe Gjimnazit “Skënderbeu”!
(I.V. & Sh.T.)