Në një ceremoni të organizuar në hapësirat e objektit të shkollës, sot u përurua uebfaqja zyrtare e Gjimnazit “Skënderbeu”. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti drejtori i gjimnazit, z.Ibush Vishi. Duke uruar për Festat e Nëntorit dhe 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në përkim të të cilit përvjetor vie edhe ky projekt i ri, ai i përgëzoi nxënësit, personelin dhe veçanërisht edhe zhvilluesit e kësaj uebfaqeje, si dhuratë kaq e nevojshme dhe e mirëpritur.
Në fjalën e vet, nënkryetari i Komunës, z. Remzi Elezi, gjithashtu i përshëndeti nxënësit, arsimtarët dhe personelin tjetër të shkollës për hapjen e kësaj dritareje të re në këtë institucion arsimor. Ai u shpreh se tani e tutje nxënësit, arsimtarët por edhe qytetarët e komunës sonë dhe më gjerë, do të mund të informohen për punën dhe të arriturat e kësaj vatre arsimore, për sukseset, por edhe për sfidat që përballet ky institucion arsimor. “Teknologjia e informimit sot po ecën me hapa të shpejtë. Sot pothuajse çdo familje ka qasje në internet, prandaj përdoruesit e internetit sot duan rezultate të shpejta dhe shfletim të thjeshtë të çdo informacioni, e këtë e mundëson rrjeti i internetit”-u ka thënë të pranishmëve nënkryetari Elezi, i cili gjithashtu u shpreh se me këto vlera ky gjimnaz do ta ketë edhe përkrahjen tonë të plotë institucionale. Në fund të fjalës së tij, ka uruar përgjegjësit e shkollës që kjo faqe të jetë aktive, sa më atraktive, përmbajtjesore e me të gjitha të dhënat e tjera të nevojshme, gjë që njëkohësisht do të ketë edhe aq më shumë vizitorë.
Ndërkaq, prezantimin profesional të dizajnit të uebfaqes e bëri Shkëlzen Vishi, ish – nxënës i këtij gjimnazi, tani student i shkencave kompjuterike, njëherësh zhvillues dhe dhurues i uebfaqes.
Uebfaqja e Gjimnazit, www.gjimnazi.vishi.website, edhe nga të pranishmit e tjerë u vlerësua si mjaft e qëlluar dhe e suksesshme, ndërsa është thënë se krijon marrëdhënie interaktive në mes nxënësve dhe vizitorëve të tjerë.

Lajmi është marrë nga uebfaqja e Komunës së Kaçanikut