
Në bashkëveprim me Drejtorinë e Arsimit dhe Kulturës që në rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit edhe Gjimnazi “Skënderbeu” të propozojë një mësimdhënës meritor për çmimin e MASHT “MËSIMDHËNËS I DALLUAR” 2019/’20, Drejtoria e Gjimnazit propozoi profesorin Ekrem Çaka – mësimdhënës i lëndës së Fizikës.
Në arseytimin zyrtar për vlerat e Prof. Ekrem Çaka, tani me rreth 42 vjet punë të suksesshme edukative-arsimore në Kaçanik, dëshmohet:
– I nisur si kuadër i shkëlqyeshëm dhe i shquar me përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e cilësisë edukative-arsimore, me vijimësi, angazhim dhe cilësi të dalluar jo vetëm profesionale e metodike, si dhe në marrëdhënie të shëndosha ndërnjerëzore, kolegiale e qytetare dhe respektues i dinjitetit të nxënësit dhe prindit, Prof. Ekrem Çaka edhe sot vazhdon të jetë i tillë: i angazhuar për cilësi edukative-arsimore, duke qenë edhe Koordinator i Cilësisë në këtë proces.
Përveç diplomës së fakultetit, ngaherë ka edhe shumë çertifikata e dëshmi të tjera aftësimi profesional, zhvillimi të kompetencës dhe edukate punuese, përfshirë edhe trajnimet për cilësi dhe për zbatimin e Kurrikulës së Re të Arsimit.
Në përkim me kriteret bazë rekomanduar nga DAK, si mësimdhënës i dalluar me rezultate të shkëlqyera në punë, Prof. Ekrem Çaka gjithashtu është i dalluar edhe për respektimin institucional, krahas faktit biografik se ky ishte edhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prof. Ekrem Çaka, u propozua si më i dalluar edhe në nivel komunal. Ndërkaq, në ceremoninë solemne komunale për ndarjen e mirënjohjeve edhe për mësimdhënës të tjerë, për kontributin e veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit u nderua me mirënjohje edhe nga Kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi.
Në këtë rast, në cilësinë e të pensionuarit, me mirënjohje u nderua edhe prof. Daut Shehu, ish-mësimdhënës po ashtu i dalluar i Gjimnazit “Skënderbeu”.
Bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës, prof. Zahir Doda, e patëm për nder edhe një foto të përbashkët…