Fondi për të Drejtat Humanitare në Kosovë (FDHK),   me lejen e MASHT (NR-311684), më 01.10.2015, në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik, në kuadër të projektit: Edukimi jo-formal – Ballafaqimi me të kaluarën – mbajti një punëtori me temën “Drejtësia Tranzicionale”.

Fillimisht, u shfaq një kuadër filmik, ku trajtohej shkelja e vrazhdë e të drejtave të njeriut, gjë që jo vetëm për nxënësit ishte një uverturë e dhimbshme tematike se ç’ka ndodhur dhe ç’ndodh me njeriun e pafajshëm në botë, sikundër më parë edhe në Kosovë nga represioni shtetëror i okupatorit.

Anëtarët e ekipit ligjërues, si Agron Llolluni dhe kolegët e tij, u paraqitën me një përvojë dhe sens të veçantë përshtatshmërie pedagogjike për nivelin e auditorit-nxënës, ndonëse aq më parë vlerësimi i ligjëruesve për nxënësit e Gjimnazit “Skënderbeu” qe deri në admirim, duke çmuar lart përqendrimin e tyre – interesimin për temën në shqyrtim dhe jo vetëm, por edhe për qasjen racionale, për frymën e hapur dhe pozitive debatuese, për reflektimin e për kontributin përfundimtar përkitazi me temën. (Ekipi ligjërues u kujdes edhe për ushqimin-për drekën e nxënësve.)

Zotëroi mendimi se kujtesa e kujdesshme për të kaluarën, duhet të na frymëzojë kundër përsëritjes irracionale të kapitujve shkatërrimtarë historikë, sado që edhe drita e drejtësisë tranzicionale provokon vistër dilemash morale, juridike e politike, si sprovë e përballjes me prodhimin e së kaluarës së dhimbshme e të vështirë mbi qenien njerëzore, e kaluar e cila forcërisht nuk ka lejuar luftimin e shkaqeve para se njerëzit të vuajnë madje edhe pasojat e tyre.

Ndërkaq, sundimi i ligjit dhe vetëdijësimi i njerëzve për jetën e lirë, u vlerësuan se janë zgjidhja dhe ndëshkimi më i drejtë i së kaluarës shktërrimtare ushtruar mbi ne – mbi njerëzinë, sado që nevoja, kërkesa dhe mundësia e zbatimit në praktikë parqiten shumë komplekse dhe multidisiplinare, si në kuptimin e qasjes e të kapacitetve…

[EasyGallery key=’14’]

(I.V.)