Situata dhe rrethanat e reja pandemike, kanë mobilizuar strukturat e përkohshme dhe të përhershme të Gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik. Në dy takime të ndara, të jashtëzakonshme, dje dhe sot, Task Forca dhe Këshilli Drejtues kanë analizuar gjendjen në këtë shkollë, duke i trajtuar gjerësisht dhe në mënyrë përmbajtësore zhvillimet më të reja. Në këtë kontekst, është shtjelluar protokolli i reagimit në rastet kur shkolla preket nga COVID-19, qoftë nxënësit apo personeli. Është konstatuar se situata aktuale fton për kujdes të shtuar dhe reagim konform protokollit, por edhe fleksibilitet në vendime e veprime. Ashtu që edhe Task Forca është aktive dhe tërësisht në rolin e vet, sikurse edhe Këshilli Drejtues dhe organet tjera, përfshirë edhe Këshillin e Nxënësve, të gjithë së bashku e në harmoni për veprime kompetente.

Në rrjedhën e zhvillimeve dhe skenarëve të mundshëm, referuar edhe në Udhëzuesin e Përgjithshëm të MASH, në takimin e KDSH, nga Koordinatori i Cilësisë, prof. Berat Berisha, u prezantua edhe gjendja në aspektin përgatitor në rast detyrimi për të kaluar në formën online me procesin mësimor.

Ku, mes tjerash, ai theksoi se Gjimnazi  “Skënderbeu”, që nga java e dytë e fillimit të vitit shkollor, ka në funksion edhe klasat virtuale (të kompletuara me personelin mësimdhënës dhe me nxënës sipas klasave), për mësim në distancë, të cilat krahas punës me prezencë fizike në shkollë, kanë mundësuar që orët mësimore të plotësohen edhe me materiale të formës elektronike.

Në gjimnazin “Skënderbeu”, në këtë formë funksionojnë edhe Aktivet Profesionale, që me punën e tyre kanë luajtur rolin kryesor në mbarëvajtjen dhe mobilizimin e të gjithë personelit mësimdhënës për punë edhe në këtë formë.

Pra, Gjimnazi “Skënderbeu” tani mund të thuhet se ka kapacitete për të realizuar edhe formën e mësimit në distancë, nëse mbetet si alternativë e vetme për shkak të përkeqësimit të gjendjes pandemike, gjithnjë me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe personelit.

Ndërkohë që i vetmi shqetësim, në këtë situatë eventuale, mbetet numri i konsiderueshëm i nxënësve në mugesë të pajisjeve teknologjike për ndjekjen e procesit mësimor.