
(Për fillimin e mësimit me vonesë shkaku i pandemisë Covid-19)
Para së gjithash, me keqardhje për vonesën e detyrueshme të fillimit mësimit, shkaku i pandemisë Covid-19, në takimin e sotëm, 25.9.2021, që TF shkollës e mbajti në përbërje të plotë – nga Kryetari TF, z. Kjani Sallahu e deri te anëtari Kryetar i KN, nx. Shpat Bulica, u diskutua:
a) gjendja përgatitore për fillimin e mësimit, sipas organeve më të larta, më 27 shtator 2021;
b) zbatimi i Udhëzimit të Përgjithshëm të MASHTI-t dhe qëndrimi e Drejtorisë komunale të arsimit dhe organeve drejtuese të shkollës përkitazi me skenarin e mësimit, si dhe
c) aspekte të tjera organizuese e vepruese të vetë TF dhe të gjithë pjesëtarëve në proces.
Pas fjalës hyrëse të Kryetarit të TF, drejtori i shkollës njoftoi për gjendjen përgatitore higjieno-teknike të mjedisit shkollor, e cila u cilësua si përgatitje për tu përshëndetur, në të gjitha aspektet e saj, përfshirë edhe disa renovime e deri te dezinfektimet e fundit, si dhe furnizimet e ndryshme përkatëse; e, krejt kjo, sidomos falënderuar edhe stafit të shkëlqyeshëm teknik, po natyrisht edhe organeve komunale e atyre shkollore.
Ndërkaq, si tregues më vete u theksua edhe vaksinimi i kryer anti-Covid i tërë personelit.
Më tej, po sipas UP të MASHTI-t, qëndrimeve të DKA-së e të organeve arsimore e drejtuese të shkollës, Task-Forca vendosi unanimisht që për fillimin e procesit mësimor të zbatohet Skenari A – me prani të plotë fizike në shkollë, duke respektuar gjendjen e punës në dy ndërrime, ku po ashtu u përmend edhe fakti se më se gjysma e klasave-paraleleve kanë vetëm nga 23 nxënës, por që pavarësisht numrave gjithsesi të gjitha rregullat dhe urdhërat për veprimin, sjelljen dhe masat mbrojtëse kundër pandemisë të zbatohen me përpikëri.
Po ashtu, nga të gjithë u përkrah edhe ideja për vaksinimin e nxënësve, deri në moshën e rekomanduar nga organet kompetente shëndetësore, për çka do të kërkohet edhe pëlqimi i prindërve dhe përkrahja e organeve komunale, sikurse aq më parë edhe e shërbimeve shëndetësore për vaksinimin, testimin dhe masat tjera parandaluese.
Në fund, u tha gjithashtu se aktualisht nuk kemi të dhëna për ndonjë të sëmurë të pjesëtarëve tanë ose familjarëve të tyre me virusin Covid-19, gjë që edhe kjo u mor si një përparësi dhe moment inkurajues për zbatimin e skenarit… Ndonëse kujdesi do të jetë maksimal.
Drejtori – I.V. & Kryetari i KN – Shpat Bulica