
Këshilli i Prindërve i Gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik, ka mbajtur sot takimin e parë me përbërjen e re, pas konstituimit, më 7 nëntor 2018.
KP, në këtë takim ka informuar për themelimin e Këshillit Drejtues të Gjimnazit “Skënderbeu”, më 28.11.2018, si organ më i lartë i kësaj shkolle, i cili në përbërjen e vet 9-anëtarësh ka edhe tre të deleguar nga KP-ja, prej të cilëve, z. Kjani Sallahu, është zgjedhur kryetar i atij këshilli.
Gjithashtu, shkurtimisht është diskutuar edhe për rolin (rregulloren) e Këshillit të Prindërve të këtij gjimnazi.
Këshilli i Prindërve i ka dhënë një theks të veçantë organizimit të nxënësve të një ekskursioni njëditor fundjavën që lamë pas, në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, duke e kundërshtuar këtë veprim. Anëtarët e KP-së kanë dalë me një qëndrim njëzëri kundër organizimeve private të nxënësve, pa pëlqimin paraprak të menaxhmentit të shkollës. KP ka mbështetur unanimisht drejtuesit e Gjimnazit “Skënderbeu” për qëndrimin e këtij institucioni rreth rastit konkret, duke i liruar nga përgjegjësia për pasojat eventuale (në mbledhje është mësuar se edhe Këshilli i Nxënësve, në takimin e vet, një ditë më parë, është rreshtuar kundër ahengut të sipërpërmendur). KP ka apeluar tek nxënësit që të mos përsërisin veprime të tilla e të ngjashme, në të ardhmen, ndërsa i ka këshilluar të gjithë prindërit që të interesohen më shumë për fëmijët e tyre, të cilët vijojnë mësimin në këtë shkollë.
KP ka trajtuar edhe ankesat e disa nxënësve të cilët janë në procedurë të pezullimit nga mësimi i rregullt, për shkak të mungesave të paarsyeshme.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtori i Gjimnazit, z. Ibush Vishi dhe koordinatori i cilësisë, prof. Ekrem çaka.
Në fund të takimit, anëtarët e KP-së kanë artikuluar kërkesa e propozime, për t’ia adresuar Këshillit Drejtues të Gjimnazit “Skënderbeu”, në takimin i cili pritet të mbahet së shpejti.
13.XII.2018,
(KËSHILLI I PRINDËRVE I GJIMNAZIT “SKËNDERBEU”)