Më 26.09.2013, u pensionua profesori i Lëndës së Muzikës, z. Sylejman Haxhiu. Me shkas pensionimin, më parë ishte organizuar edhe një darkë shoqërore, ku atmosferën e ngazëllyer e shoqëruan edhe momente emocionale. Ndërkaq, sot në Gjimnazin “Skënderbeu” u mbajt edhe një takim i ngrohtë kolegial dhe u shtrua edhe koktej rasti. Takimi u zhvillua në një atmosferë përshëndetjeje e falenderimi jashtëzakonisht të përzemërt. Me fjalë miradije për gjithë shekullin e punës të profesorit Sylejman Haxhiu foli drejtori i shkollës, z.Ibush Vishi, i cili çmoi lart angazhimin e profesorit, madje jo vetëm në procesin edukativ-arsimor, por edhe për entuziazmin e tij dhe rezultatet edhe në sferën kulturo-artistike, në punën me rininë dhe në shërbim të institucioneve tona kulturore. Në frymën përshëndetëse të takimit dhe në natyrën e marrëdhënieve të mira njerëzore e kolegiale, drejtori u shpreh se edhe në këtë rast ka vend për dy fjalët që shëmbëllejnë mirësjelljen: na fal dhe faleminderit.
Përshëndeti, gjithashtu, edhe kryetari i sindikatës i këtij kolektivi, prof. Fevzi Bunjaku, i cili me mirënjohje u referua edhe në kohën që kur ishte nxënës i prof. Sylejman Haxhiu.
Në shenjë mirënjohjeje, profesorit në pension, z. Sylejman Haxhiu, iu dha një orë muri e punuar me Stemën e Gjimnazit “Skënderbeu” dhe një mirënjohje zyrtare, e cila ilustronte edhe partiturën “Ode e Gëzimit” të Bethovenit, përjetimi i së cilës vepër profesorit gjithmonë i ka ngjallur emocion dhe ndjenjë të veçantë estetike.
Prof. Sylejman Haxhiu u falënderua dhe çmoi në piedestal kolegët e tij dhe Gjimnazin “Skënderbeu”, me një admirim edhe për kuadrin e ri që po trashëgon…